Dërguti: Kurti lavdinë e do për vete, përgjegjësinë synon ta ndajë me të tjerët

Opinionistja thotë se kryeministri përballet me presion ndërkombëtar për zbatimin e marrëveshjeve dhe se çështja e presidentit lidhet me ndarjen e përgjegjësisë politike.

Opinionistja Aida Dërguti ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dëshiron ta marrë lavdinë për vete, por përgjegjësinë synon ta ndajë me të tjerët, sidomos në raport me zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

banner

Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ajo tha se aktualisht ekziston një ngutje politike që, sipas saj, nuk lidhet vetëm me afatin për zgjedhjen e presidentit, por edhe me presionin ndërkombëtar për zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

“Po e shohim një nguti, por nuk lidhet vetëm me afatin për president. Mendoj që ka më shumë një presion ndërkombëtar për zbatimin e marrëveshjes. Pra atë që e ka bërë duhet ta përbijë. Siç dihet, Kurti lavdinë e dëshiron për vete, por përgjegjësinë dëshiron ta ndajë me të tjerët. Kur vjen puna te pushteti aty është i pakompromis, tani duhet që ato marrëveshje që i ka realizuar vetë, dëshiron ta shpërndajë përgjegjësinë me të tjerët”, tha Dërguti.

Ajo shtoi se formimi i shpejtë i Qeverisë kishte për qëllim t’u dëshmonte qytetarëve se Kurti nuk ka qenë bllokues i proceseve politike.

Sipas saj, kryeministri ka komoditet edhe nëse vendi shkon në zgjedhje të reja, duke qenë në një pozicion të favorshëm politik. Megjithatë, ajo theksoi se sfida kryesore mbetet zbatimi i marrëveshjeve, për të cilat, siç u shpreh, duket se ka afate konkrete.

Dërguti komentoi edhe çështjen e presidentit, duke thënë se, sipas gjitha gjasave, Vjosa Osmani nuk është kandidatja e preferuar, ose mund të ekzistojë një strategji tjetër politike. Ajo përmendi edhe takimet me partitë opozitare, duke theksuar se për zgjedhjen e presidentit nevojitet mbështetje më e gjerë parlamentare, në mënyrë që procesi të mos varet nga një votë e vetme.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.