
Ramush Haradinaj kundërshton dëshminë në Hagë, duke thënë se familja e tij kishte pasur qasjen më parimore në UÇK ndaj Rugovës dhe asnjëherë nuk ishte përfshirë në sulme ndaj tij.
Jock Covey, ish-diplomat amerikan dhe zëvendës i Bernard Kouchner në UNMIK, dëshmoi të enjten në Hagë se presidenti Ibrahim Rugova ndihej i pasigurt për t’u kthyer në Kosovë menjëherë pas luftës. Ai tha se sipas burimeve të KFOR-it, besohej se Daut Haradinaj, vëllai i Ramush Haradinajt, ishte i përfshirë në një sulm ndaj truprojave të Rugovës.
Këtyre pretendimeve iu kundërpërgjigj ashpër Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së. Në një intervistë për emisionin “Pressing” në T7, Haradinaj theksoi se familja e tij kishte pasur marrëdhënien më të drejtë dhe më parimore me Rugovën brenda UÇK-së.
“Nga UÇK-ja njerëzit më parimorë në raport me presidentin Rugova kemi qenë ne, familja ime – jo me ia sulmu eskortën, por edhe me ia ruajtë shpinën e qato vlera që nuk ishin vetëm të tij, por edhe të Kosovës. Ne i kemi mbrojtur me bindje, edhe unë e Dauti. Këto janë ato pallavrat”, tha Haradinaj.
Ai shtoi se paslufta do të kishte marrë tjetër drejtim sikur qeverisja e Kosovës të ishte bërë vetëm nga amerikanët.
“Është një dallim, sikur të na kishte qeverisë Amerika pas vitit 1999, ne jo që ishim vetëm shtet i pavarur, por të zhvillun si Zvicra. Por. UNMIK ka qenë Kina, Rusia, Afrika, përfshi krejt armiq tonë. Amerikanët e anglezët shumicën palëve tjera iu kanë mbajtur fshehtë”, ka thënë Haradinaj.



