
Familja Çekaj falënderon Presidenten Vjosa Osmani për vizitën: Sakrifica e të rënëve nuk duhet të harrohet
Djali i heroit kombëtar Sali Çekaj ka falënderuar Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për vizitën e realizuar në familjen Çekaj, duke theksuar se kjo vizitë për ta është një dëshmi se sakrifica e luftëtarëve për lirinë e Kosovës nuk është harruar.
Në një reagim në Facebook, ai u shpreh se babai i tij dha jetën për një Kosovë të lirë dhe demokratike, ku qytetarët do të kishin një president që i shërben vendit dhe jo një sundimtar.
“Baba ynë dha jetën për këtë vend. Që ky vend të kishte president, e jo sundimtar. Që ky vend të kishte liri, e jo premtime lirie”, thuhet në reagim.
Ai theksoi se vizita e Presidentes Osmani ka një domethënie të veçantë për familjen, pasi sipas tij ajo tregon se sakrifica e të rënëve për liri vazhdon të nderohet.
“Vizita e saj na tregoi se sakrifica nuk është harruar”, thuhet më tej në reagim.
Sipas familjes Çekaj, tek Presidentja Osmani shohin vizionin dhe përkushtimin për një të ardhme ku kujtimi për dëshmorët dhe amaneti i tyre vazhdon të jetojë.
“Tek Presidentja Osmani shohim vizionin dhe përkushtimin për një të ardhme ku ky kujtim nuk harrohet – dhe ku amaneti i të rënëve tanë jetesohet. Kjo është e vetmja gjë që familja jonë ka kërkuar ndonjëherë”, përfundon reagimi i familjes.



