
Altin Krasniqi, djali i ish-kreut të UÇK-së, Jakup Krasniqi i cili foli në emër të familjeve të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë falënderoi të gjithë qytetarët për mbështetjen e vazhdueshme.
Ai tha se lufta e UÇK-së ishte për liri, ka qenë për dinjitet, ka qenë luftë e një populli që për dekada është përbuzur e shtypur.

“Prandaj ajo që ndodhi në Hagë nuk mund të shihet vetëm si një çështje ndaj katër individëve. Për ne ky aktgjykimi prek një histori shumë më të madhe, prek sakrificën e çdo dëshmori, çdo veterani, çdo të burgosuri politik, të çdo të mbijetuari e të mbijetuare të dhunës, çdo të zhdukuri, të çdo fëmije që u vra nga forcat gjenocidale të Serbisë, të çdo familje që sakrifikoi për lirinë e Kosovës”, tha ai.
Tutje, Altin Krasniqi tha se nuk do të dorëzohen.
“Nuk do të dorëzohemi sepse nëse dorëzohemi nuk do të na gjykojë vetëm e kaluara, por edhe e ardhmja… Do të na pyesin fëmijët tanë çfarë bëtë kur historia iu vu në bankën e të akuzuarve, çfarë bërë kur sakrifica e çlirimtarëve tuaj u vu në pikëpyetje dhe përgjigja jonë do të jetë e qartë, nuk u dorëzuam…”, tha ai.
Krasniqi tha se do të vazhdojnë të kërkojnë drejtësi dhe askush nuk duhet të dënohet me prova të fabrikuara.
“Prandaj, ju bëj sot thirrje të gjithë shqiptarëve, të gjithë partive politike t’i lëmë anash dallimet tona politike. Duhet të bashkohemi dhe të kërkojmë rrugë ligjore që garanton proces të drejtë, të paanshëm dhe bazuar në prova të besueshme”, tha ai.
Krasniqi theksoi tutje se duhet të lihen anash dallimet politike dhe të bashkohemi për drejtësi, dinjitet e histori. /Telegrafi/



