
Kandidatja e LDK-së u kërkon qytetarëve të propozojnë tema për diskutim, ndërsa paralajmëron se adresimet do t’i bëjë sipas gjendjes shëndetësore.
Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka njoftuar se fushatën do ta vazhdojë nga shtëpia përmes video-adresimeve, për shkak se shtatzënia nuk po i lejon të jetë prezente në terren. Ajo tha se, ndonëse nuk është e sigurt nëse do të mund të paraqitet çdo ditë, do të mundohet të komunikojë me qytetarët kohë pas kohe.
Përmes një postimi, Kica-Xhelili ftoi qytetarët të propozojnë tema për diskutim dhe publikoi disa nga çështjet që i janë adresuar deri më tani, duke përfshirë: rrezikimin e demokracisë në Kosovë, të drejtat e nënave në punë, skandalet e qeverisë aktuale, si dhe prioritetet urgjente të shtetit.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve që të vazhdojnë t’i shkruajnë në komente dhe mesazhe për pyetje dhe tema shtesë, duke theksuar se dëshiron të trajtojë çështje që realisht i shqetësojnë qytetarët.



