Duncan: UÇK-ja kishte përbërje heterogjene, me njerëz nga shtresa të ndryshme shoqërore

Ish-këshilltari i Wesley Clark dëshmoi në Hagë se në radhët e UÇK-së ishin përfshirë ish-ushtarë të Armatës Jugosllave, juristë, mjekë, gazetarë e gra të mbijetuara nga dhuna seksuale. Ai kujtoi gjithashtu nënshkrimin e marrëveshjes për demilitarizimin e UÇK-së.

Ish-këshilltari politik i komandantit suprem të NATO-s, Wesley Clark, diplomati britanik John Stewart Duncan, ka dëshmuar sot në Gjykatën Speciale të Hagës në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ai tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte një përbërje të larmishme dhe se individë nga profile të ndryshme shoqërore kishin marrë armët për arsye të ndryshme.

banner

“Përbërja e aktorëve kryesorë, veçanërisht kur filloi të përshkallëzohet spastrimi etnik, kishte disa shtresa: kishte persona që kishin qenë ushtarë në Armatën Jugosllave, juristë, mjekë, gazetarë, të tjerë që iu ishin keqtrajtuar familjet. Motivi i tyre për të marrë armët ishte i ndryshëm ndonjëherë”, tha Duncan, duke shtuar se në UÇK kishte edhe gra, disa prej të cilave ishin të mbijetuara nga dhuna seksuale.

Diplomati britanik foli edhe për çështjen e nderit në shoqërinë shqiptare. “Që të abuzohet seksualisht një femër shqiptare është e tmerrshme. Duhet të kemi parasysh që kjo nuk është shoqëri islamike në kuptimin e Lindjes së Mesme. Shqiptarët më kanë thënë se janë muslimanë që bëjnë kryqin kur kalojnë para Kishës. Çështja e nderit është e rëndësishme, dhe që të çnderohet një femër në atë mënyrë është e papranueshme”, theksoi ai.

Duncan shtoi se shqiptarët e Kosovës ishin të udhëhequr nga kodi i Kanunit, i bazuar në besim dhe besë, duke e cilësuar atë si një dokument të mesjetës që vazhdonte të kishte ndikim në sjelljen e tyre.

Në dëshminë e tij, diplomati britanik kujtoi gjithashtu se kishte qenë vetë nënshkrues i marrëveshjes për demilitarizimin e UÇK-së, dokument i cili ishte nënshkruar edhe nga Hashim Thaçi.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.