
Një bjeshkatar që dyshohet të ketë rrëshqitur në Majën e Hajlës përgjatë kreshtës kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, është duke u kërkuar.
Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës ka njoftuar se në gjetjen e tij janë angazhuar bashkë me Shërbimin e Shpëtimit Malor të Malit të Zi dhe autoritetet kompetente të këtij shteti.
“Sipas informatave fillestare nga terreni, një bjeshkatar me inicialet C.F dyshohet se ka rrëshqitur nga kreshta, duke humbur kontaktin me pjesëtarët e tjerë të grupit. Kushtet e pafavorshme atmosferike, të shoqëruara me reshje bore dhe dukshmëri të kufizuar, janë duke e vështirësuar realizimin e operacionit. Ekipet e kërkim-shpëtimit nga të dyja shtetet janë të angazhuara në mënyrë të koordinuar në operacionin ndërkufitar, me qëllim lokalizimin dhe ofrimin e ndihmës ndaj personit të raportuar”, thuhet në njoftim.



