Edhe Duncan e thotë: Fuqinë reale në UÇK e kishin komandantët e zonave, jo Thaçi

Ish-diplomati britanik tha në Hagë se këtë e kishte konfirmuar Agim Çeku gjatë një takimi në Tiranë, duke theksuar se komandantët rajonalë ishin vendimmarrësit kryesorë në UÇK.

Tre dëshmitarë të thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kanë dëshmuar për fuqinë dhe rolin vendimtar të komandantëve të zonave të UÇK-së.

banner

Ish-diplomati britanik John Stewart Duncan, i cili nisi sot dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë, tha se marrëveshjet dhe vendimet nuk mund të bëheshin pa konsultimin me komandantët rajonalë. Sipas tij, këtë e kishte konfirmuar gjenerali Agim Çeku gjatë një takimi më 14 qershor në Tiranë.

Fuqinë reale në strukturën e UÇK-së e kishin komandantët rajonalë. Këtë e konfirmoi gjenerali Agim Çeku në fillim të negocimit të marrëveshjes. Ai na tha se nuk mund ta bëjë dot pa praninë e komandantëve të zonave. I besova, ishte bindës për këtë çështje. Ai tha gjithashtu se zoti Thaçi nuk ishte i disponueshëm dhe se duhej të konsultohej për çdo gjë të tillë”, deklaroi Duncan.

Ai shtoi se struktura e UÇK-së funksiononte “në mënyrë jo hierarkike”, ku rolin vendimtar e kishin komandantët e zonave.

Dëshmitë e mbrojtjes nisën javën e kaluar me ish-ndihmësin e Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, dhe këshilltarin ligjor të delegacionit të Kosovës në Rambuje, Paul Williams. Të dy kanë deklaruar se roli i Hashim Thaçit gjatë luftës ishte politik dhe jo ushtarak, duke theksuar se ai nuk kishte kompetenca vendimmarrëse brenda strukturës së UÇK-së.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.