
Ankaraja kërkon dialog në nivel të lartë politik, ndërsa mosmarrëveshjet për raketat dhe programin bërthamor rrezikojnë dështimin e bisedimeve dhe shtojnë frikën për konflikt në Lindjen e Mesme.
Presidenti i Turqisë, Tajip Erdogan, deklaroi se vendi i tij po punon intensivisht për të parandaluar që tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit të përshkallëzohen në një konflikt të ri në Lindjen e Mesme. Ai theksoi se dialogu dhe diplomacia janë thelbësore për të shmangur një krizë më të thellë në rajon, shkruan Reuters.
Duke folur me gazetarët gjatë kthimit nga një vizitë në Egjipt, Erdogan u shpreh se bisedimet në nivelin më të lartë mes udhëheqjes amerikane dhe asaj iraniane do të ishin të dobishme, pas negociatave bërthamore të planifikuara të zhvillohen në Oman. Sipas tij, Turqia po bën maksimumin për të frenuar çdo përshkallëzim të situatës.
Mosmarrëveshjet mes Uashingtonit dhe Teheranit mbeten të thella. SHBA këmbëngul që negociatat të përfshijnë edhe arsenalin raketor të Iranit, ndërsa Teherani pranon të diskutojë vetëm për programin e tij bërthamor. Kjo përplasje ka çuar në kërcënime të ndërsjella për sulme ajrore.
Dallimet mbi fushëveprimin dhe vendin e bisedimeve kanë vënë në dyshim zhvillimin e takimit. Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se Irani duhet të jetë “shumë i shqetësuar”, duke lënë të hapur mundësinë e një sulmi ushtarak. Më vonë, zyrtarët e të dy vendeve njoftuan se vendndodhja e bisedimeve do të zhvendoset nga Stambolli në Muskat, por pa arritur ende një marrëveshje për axhendën.
Edhe liderë të tjerë ndërkombëtarë kanë shprehur shqetësim. Kancelari gjerman Friedrich Merz bëri thirrje për uljen e tensioneve dhe nisjen e dialogut, duke theksuar se Gjermania do të angazhohet për stabilitet rajonal. Ndërkohë, vendet arabe të Gjirit druhen se Irani mund të godasë bazat amerikane në territorin e tyre në rast të një sulmi nga SHBA.
Kina, nga ana tjetër, mbështeti të drejtën e Iranit për përdorimin paqësor të energjisë bërthamore dhe kundërshtoi kërcënimet me forcë apo presionin përmes sanksioneve, duke kërkuar zgjidhje diplomatike.



