
Kontingjenti i Kërkim-Shpëtimit nga Regjimenti i Mbrojtjes Civile angazhohet me kërkesë të autoriteteve shqiptare.
Forca e Sigurisë së Kosovës është angazhuar në një operacion kërkim-shpëtimi për gjetjen e një personi të humbur në rrjedhën e lumit Mat, në Shqipëri.
Sipas njoftimit zyrtar, FSK i është bashkuar operacionit në ndihmë të autoriteteve shqiptare, pas një kërkese të drejtpërdrejtë nga Republika e Shqipërisë.
“Me kërkesën e autoriteteve të Republikës së Shqipërisë, Forca e Sigurisë së Kosovës ka angazhuar një kontingjent të Kërkim-Shpëtimit, të Regjimentit të Mbrojtjes Civile të Gardës Kombëtare të FSK-së, i cili i është bashkuar operacionit në Kolos, për të intervenuar në kërkimin e një personi të humbur në rrjedhën e lumit Mat”, thuhet në njoftim.
Ekipet e specializuara të FSK-së pritet të ofrojnë mbështetje me kapacitete profesionale në terren, në bashkëpunim me strukturat emergjente shqiptare, për të rritur mundësitë e gjetjes së personit të zhdukur.



