Gjykata Kushtetuese reagon ndaj Kurtit dhe zyrtarëve të VV-së: Deklaratat e pamatura cenojnë pavarësinë e saj

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Albin Kurti dhe zyrtarëve të tjerë të Vetëvendosjes, duke shprehur shqetësimin për, siç i quan, “deklarimet e pamatura të zyrtarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve politikë”.

Në reagim thuhet se pavarësia e Gjykatës Kushtetuese nuk është privilegj i gjyqtarëve të saj, por një prej themeleve të shtetit të së drejtës. Ajo thekson se paanshmëria e saj është e garantuar me Kushtetutë dhe se askush – as institucione, as parti politike, e as individë – nuk mund të ndërhyjë në punën e saj.

banner

“Çdo përpjekje për të ushtruar presion mbi gjyqtarët kushtetues përbën cenim të parimit themelor të ndarjes së pushteteve dhe minon besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit dhe në vetë demokracinë”, thuhet në reagim.

Gjykata rikujton se vendimet e saj bazohen vetëm në Kushtetutë, praktikën gjyqësore dhe standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Çdo deklaratë që paragjykon ose relativizon këto vendime, sipas saj, është e papërgjegjshme dhe e dëmshme për zhvillimin demokratik të vendit.

Në fund, Gjykata Kushtetuese u bën thirrje të gjitha palëve të respektojnë pavarësinë e saj dhe të përmbahen nga sulmet ndaj integritetit të gjyqtarëve, duke theksuar se vetëm në këtë mënyrë mund të garantohet një shoqëri e drejtë, demokratike dhe funksionale.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.