
Seanca gjyqësore ndaj katër mjekëve të QKUK-së, të akuzuar për veprën penale “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor” lidhur me vdekjen e pacientes S.F. në janar të vitit 2016, ka vazhduar te premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Në seancë dëshmoi infermierja Valbona Kelmendi Gashi, e cila deklaroi se pacientja ishte përkeqësuar menjëherë pasi kishte nisur transfuzioni i gjakut.

Ajo tha se, sapo pacientja kishte shfaqur shqetësime, e kishte ndërprerë transfuzionin dhe kishte njoftuar menjëherë mjeken kujdestare, Vjosa Zejnullahu.
Sipas dëshmitares, pacientja fillimisht ishte në gjendje të fliste, por më pas humbi vetëdijen, ndërsa në repart u thirrën mjekët kujdestarë dhe më vonë u kërkua edhe konsultë me neurologun.
Infermierja deklaroi gjithashtu se qesja e gjakut nuk ishte marrë nga ajo në Transfuzionin e Gjakut, por i ishte dorëzuar nga ndërrimi paraprak së bashku me dokumentacionin përcjellës.
Dëshmia e saj u ndërpre dhe seanca e radhës është caktuar për 19 tetor 2026.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, katër mjekët – Vjosa Zejnullahu, Selman Demolli, Myzeine Muja dhe Bashkim Sheholli – akuzohen se nuk kanë vepruar sipas protokolleve mjekësore gjatë trajtimit të pacientes, nuk kanë kërkuar konsultë me transfuziologun dhe nuk kanë ruajtur qesen e gjakut si provë, veprime që sipas Prokurorisë çuan në përkeqësimin e gjendjes dhe vdekjen e pacientes. Të pandehurit e kanë mohuar përgjegjësinë dhe procesi gjyqësor është ende në zhvillim.



