
Kryetari i PDK-së vlerëson kontributin institucional dhe akademik të ish-Kryetarit të Kuvendit.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të ish-Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, duke e cilësuar këtë ngjarje si një humbje të madhe për Kosovën.
“Lajm i hidhur në ditën e parë të vitit 2026. Ndarja nga jeta e Nexhat Dacit është një humbje e madhe për Kosovën”, ka deklaruar Hamza. Ai ka theksuar se Daci ishte institucionalist dhe akademik i përkushtuar, i cili kontribuoi ndjeshëm në jetën publike, duke besuar në rendin kushtetues, dialogun institucional dhe dijen si udhërrëfyes të shoqërisë.
Sipas Hamzës, trashëgimia e akademik Nexhat Dacit mbetet pjesë e pandashme e themeleve të shtetndërtimit të Kosovës.
Në fund, kryetari i PDK-së ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen Daci, miqtë dhe të gjithë bashkëpunëtorët e të ndjerit.



