
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës u është drejtuar bashkatdhetarëve në diasporë me një mesazh mirënjohjeje dhe thirrje për mobilizim në balotazhin e ardhshëm dhe zgjedhjet e mundshme parlamentare në dhjetor.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka shprehur mirënjohje për angazhimin e diasporës në proceset zgjedhore, duke theksuar se kontributi i tyre ka qenë i çmuar si në zgjedhjet parlamentare të shkurtit, ashtu edhe në zgjedhjet komunale që po zhvillohen tani.
Në një mesazh drejtuar bashkatdhetarëve, Haradinaj tha se besnikëria dhe përkushtimi i tyre janë shembullorë, duke kujtuar se Aleanca ka pasur mbështetjen e diasporës edhe në periudha të vështira.
“Keni votuar në Diasporë, keni kontaktuar familjarët tuaj dhe miqtë, dhe keni ardhur në Kosovë për ta përkrahur Aleancën. Besnikëria juaj është e rrallë, qëndruat me ne gjatë të gjitha sfidave – Haga 1, Haga 2 e sfidat e tjera – dhe nuk na latë asnjëherë vetëm, ashtu sikurse nuk e latë vetëm Kosovën në luftën e UÇK-së,” ka shkruar Haradinaj.
Ai i ka ftuar bashkatdhetarët që të mos e neglizhojnë ditën e balotazhit më 9 nëntor, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në votim, qoftë nga jashtë, qoftë fizikisht në Kosovë.
“Mos e neglizhoni rëndësinë e ditës së balotazhit, votoni prej atje nëse mundeni, komunikoni me familjet dhe të njohurit tuaj në Kosovë, apo ejani edhe njëherë e votoni në Kosovë,” ka shtuar ai.
Haradinaj ka lënë të hapur edhe mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në muajin dhjetor, duke theksuar se Aleanca po rikthehet fuqishëm falë edhe angazhimit të diasporës.
“Të vazhdojmë të bashkuar si asnjëherë më parë, sepse Kosova na thërret,” përfundon mesazhi i tij.



