
Thaçi thotë se bëri atë që do ta bënte secili shqiptar.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi para trupit gjykues dhe prokurorisë në Dhomat e Specializuara se nuk është penduar për vendimin e tij për t’u kthyer në Kosovë në vitin 1998, në kohën kur, sipas tij, familja dhe populli i tij po përballeshin me shfarosje.
Në fjalën e tij, ai theksoi se vendimi për t’u kthyer ishte personal dhe i marrë në rrethana të jashtëzakonshme.
“Nuk mund të qëndroja indiferent. Vendosa të kthehem në Kosovë, në pranverën e vitit 1998. Ishte vendim personal i imi dhe i askujt tjetër. Nuk mund të qëndroja anash ndërsa familja dhe populli im përballej me shfarosje. Bëra atë që do ta bënte secili. Për këtë jam shumë krenar dhe nuk i bie pishman asnjëherë”, tha Thaçi para gjykatës.



