
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës kritikon rënien e rritjes ekonomike, rritjen e inflacionit dhe mungesën e investimeve publike.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar pas përfundimit të misionit dyjavor mbikëqyrës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Kosovë, duke deklaruar se vërejtjet e këtij institucioni konfirmojnë shqetësimet e tij për menaxhimin ekonomik të vendit.
Sipas Hotit, raporti i FMN-së evidenton rënien e rritjes ekonomike në 3.25 për qind në fund të tremujorit të tretë të vitit 2025, rritjen e inflacionit në 5.25 për qind në dhjetor, si dhe zgjerimin e deficitit të llogarisë rrjedhëse në 9.6 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV).
Ai ka theksuar gjithashtu shqetësimet për nivelin e lartë të kredive bankare, pagat në sektorin publik, pagën minimale dhe nevojën për kursime në shpenzimet për mallra dhe shërbime.
Hoti ka kritikuar mungesën e investimeve publike dhe të politikave industriale, duke nënvizuar se importi është rritur ndjeshëm, ndërsa prodhimi vendor ka stagnuar.
Po ashtu, ai është shprehur se masa si vendosja e çmimeve tavan nuk përbëjnë zgjidhje për inflacionin, duke kërkuar politika zhvillimore që mbështesin sektorin privat dhe rrisin punësimin. Sipas tij, pa ekspertizë të mirëfilltë në politikat fiskale dhe industriale, nuk pritet reflektim nga qeveria e re.



