
Në fjalimin e gjatë, Lumir Abdixhiku, ka pasur edhe kritika ndaj mënyrës se si u bë politikë brenda LDK-së.
Para delegatëve të Kuvendit, Abdixhiku kritikoi ata që ia kërkon “dorëheqjen e parevokueshme”. Ndonëse nuk ua përmendi emrin, Adbixhiku e kishte fjalën për Avdullah Hotin dhe Hykmete Bajramin.
“Më duhet të them edhe këtë: që në natën e zgjedhjeve, kur paralajmërova thirrjen e Kuvendit të partisë për ta trajtuar këtë çështje me përgjegjësi institucionale, pati zëra brenda LDK-së që kërkuan dorëheqjen time. Zëra që më vonë shfaqën edhe ambicie të hapura politike. Dorëheqja më është kërkuar kur i kemi rritur 70 mijë vota e lëre më tash. Por kishte një evoluim të çuditshëm dhe jokonsistent në këtë kërkesë. Fillimisht, nuk u mjaftonte paralajmërimi për dorëheqje të ofruar në Kuvend, u artikulua kërkesa për dorëheqje të parevokueshme. Ik, lësho vend, mu tha…Më pas, ajo kërkesë u shndërrua në ultimatum. Po nuk u dha dorëheqja juaj, do të japim ne. Disa dhe dhanë, ndonëse e tëra çfarë kërkonim, unë dhe bashkëpunëtorët tanë, ishte trajtimi i brendshëm i secilës çështje që kishim. Këtu pra. Në këtë Kuvend. Dhe në fund, pas ultimatumit dhe natyrisht mospranimit të tij, u shpall ideja se akti i dorëheqjes qenka tashmë i kryer dhe Kuvendi i LDK-së s’ka çfarë të vendosë. Merreni me mend. Kuvendi i LDK-së nuk mund të vendosë më! E kush pra? Të ju them të drejtën, duke ndjerë dhe peshën e madhe të përgjegjësisë, jo në pak raste kam menduar të parevokueshmen” – ka thënë Abidxhiku para kuvendarëve të LDK-së.



