
Analisti politik u bën thirrje qytetarëve që të votojnë më 12 tetor, duke theksuar se bojkotimi ose prishja e fletëvotimit dëmton drejtpërdrejt të ardhmen e kryeqytetit.
Analisti politik Ilir Deda ka reaguar lidhur me zgjedhjet lokale në Prishtinë, duke paralajmëruar qytetarët që të mos e shprehin zhgënjimin e tyre me politikën qendrore përmes bojkotit apo prishjes së fletëvotimit. Ai theksoi se kjo formë proteste nuk është zgjidhje, por vetëm e dëmton kryeqytetin.
“Prishtina e pavendosur për të nesërmen e saj nuk është qyteti që jam mësuar ta shoh. Bojkoti i zgjedhjeve lokale apo prishja e votës do të thotë që ne marrim pjesë në mbytjen e qytetit tonë”, ka deklaruar Deda.
Sipas tij, për herë të parë në listat për kuvendin komunal ka shumë kandidatë me integritet nga lagjet e Prishtinës, të cilët meritojnë përkrahje. Ai kujtoi se sistemi zgjedhor u lejon qytetarëve të votojnë ndryshe për kryetar komune dhe ndryshe për kuvend komunal, duke shtuar se kjo është një mundësi për të ndikuar realisht në përmirësimin e jetës së përditshme.
“Qyteti ynë nuk do të bëhet më i mirë, më funksional, nuk do të ketë më shumë gjelbërim, ajër të pastër apo hapësira për fëmijë e të moshuar, nëse kësaj here nuk i japim drejtim Prishtinës”, tha ai, duke shtuar se protestat politike mund të shprehen në zgjedhjet parlamentare, por jo në ato lokale.
Deda apeloi që qytetarët të dalin masivisht në votime më 12 tetor, pasi aty vendoset e ardhmja e Prishtinës dhe cilësia e jetës së saj.



