
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, i ka bërë thirrje liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, që të marrë pjesë në promovimin e rrugës që mban emrin e Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK) në Komunën e Çairit.
Në një video të publikuar nga rruga që mban emrin e LPK-së, Mexhiti tha se bëhet fjalë për një emërtim zyrtar, i regjistruar edhe në dokumentet e identifikimit, duke e cilësuar LPK-në si organizatën themeluese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Jemi këtu në zemër të Çairit, në Serovë, ku kjo rrugë mban emrin e Lëvizjes Popullore të Kosovës, themeluese të UÇK-së, në mënyrë zyrtare edhe në të gjitha dokumentet e identifikimit. Prandaj i bëj thirrje z. Ahmeti, mos t’i lodh qytetarët me gabimet e veta apo me zgjidhjet gjysmake që janë bërë në Tetovë, por e ftoj të marrë pjesë në promovimin e rrugës së LPK-së së tij dhe LPK-së kombëtare”, deklaroi Mexhiti.
Ai e ftoi Ahmetin që së bashku të promovojnë edhe 5 Majin – Ditën e Dëshmorëve – si dhe rrugë të tjera në Çair.
“Bashkë t’i promovojmë edhe 5 Majin – Ditën e Dëshmorit, ditën kombëtare dhe rrugët e tjera në Çair”, tha ai.
Në fund, Mexhiti u drejtua edhe qytetarëve, duke u shprehur se çështja e emërtimit të rrugëve do të zgjidhet edhe në Tetovë.
“Qytetarëve u themi rrini rehat, sepse ashtu siç i kemi rregulluar në Shkup, do t’i rregullojmë edhe në Tetovë me Bilall Kasamin”, u shpreh Mexhiti.



