Izet Mexhiti: Nuk jam në garë me Bujar Osmanin, por me Ali Ahmetin e Zajazit

Kandidati i koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, tha se beteja në Çair ka tejkaluar kufijtë e një gare lokale, duke premtuar transformimin e komunës në epiqendrën e Shkupit dhe dërgimin e rivalëve “në pension politik”.

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit dhe një nga liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, në përmbyllje të fushatës zgjedhore në këtë komunë mbajti një fjalim të fuqishëm para një numri të madh qytetarësh, duke theksuar se beteja në Çair nuk është thjesht lokale, por një përballje me domethënie të gjerë politike.

banner

“Kundërshtarët tanë deshën të na sfidojnë në Çair, të na mundin në Çair dhe kërkuan mejdan politik në Çair, duke menduar se ne do të ikim. Por unë pranova vetë këtë sfidë, sepse nderin e Çairit doja ta mbroj vetë,” deklaroi Mexhiti, duke marrë duartrokitje të gjata nga të pranishmit.

Ai shtoi se Çairi nuk do të shërbejë si trampolinë për politikanë të dështuar që kërkojnë të shpëtojnë karrierat e tyre. “Çairi nuk është trampolinë për të shpëtuar karrierat politike të atyre që vijnë nga Zajazi, as për t’i kthyer në pushtet ata që sot vajtojnë në opozitë. Më 19 tetor disa do t’i dërgojmë në pension politik, e disa në histori. Sepse unë nuk jam në garë me Bujar Osmanin, por me Ali Ahmetin e Zajazit,” tha ai.

Në vijim, Mexhiti theksoi rezultatet e qeverisjes së deritanishme të VLEN-it në Çair, duke përmendur investime prej rreth 100 milionë eurosh në vetëm 15 muaj. “U ktheva të garoj në Çair që ëndrrën e atyre që deshën ta bënin Çairin geto ta shndërrojmë në Çair të ëndërruar nga të gjithë ne. Nga periferi, Çairin po e kthejmë në epiqendër të Shkupit,” u shpreh ai mes brohoritjeve dhe duartrokitjeve.

Ngjarja u mbyll me atmosferë festive dhe entuziazëm të madh nga mbështetësit e VLEN-it, duke shënuar fundin e një fushate të ngarkuar politike në njërën prej komunave më simbolike të Shkupit.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.