Jasir Asani: Deri ku shkon hipokrizia politike e Taulant Ballës dhe patriotizmi i rremë i Ali Ahmetit?

Aktivisti dhe analisti, Jasir Asani ka kritikuar ashpër deklaratën e Taulant Ballës për Tahir Sinanin, si dhe heshtjen e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, dhe të kryetarit të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati.

Në një reagim publik, Asani tha se ka kaluar gati një javë që kur Taulant Balla e cilësoi luftëtarin e UÇK-së dhe UÇK-së së Maqedonisë, Tahir Sinanin, si “mercenar të paguar”, ndërsa, sipas tij, nuk ka pasur asnjë reagim nga figura që zakonisht paraqiten si mbrojtëse të vlerave të luftës.

banner

“Ajo që bie më shumë në sy nuk është vetëm deklarata e Ballës, por heshtja që e pasoi. Asnjë reagim nga Ali Ahmeti… Asnjë reagim as nga Hysni Gucati”, shkroi Asani.

Sipas tij, kjo krijon përshtypjen e një standardi të dyfishtë në mbrojtjen e figurave të luftës.

“Kur flamuri i UÇK-së ngrihet nga qytetarët, reagimet janë të menjëhershme. Por kur një figurë e njohur e asaj lufte etiketohet me fjalë kaq të rënda nga një drejtues i lartë i shtetit shqiptar, mbizotëron heshtja”, u shpreh ai.

Asani vlerësoi se mbrojtja e luftës dhe e dëshmorëve nuk duhet të jetë selektive apo e kushtëzuar nga interesat politike.

“Ali Ahmeti nuk mund të paraqitet si mbrojtës i historisë së luftës vetëm kur kjo i shërben interesit të tij politik. Nëse lufta dhe dëshmorët janë vlera kombëtare, atëherë ato duhet të mbrohen pa dallim”, theksoi ai.

Në fund, Asani ngriti pyetjen nëse patriotizmi është bindje që mbrohet në çdo rrethanë apo një mjet që përdoret vetëm kur i shërben interesit politik, duke shtuar se, sipas tij, përgjigjen e jep vetë heshtja.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.