
Ish-këshilltari i gjeneralit Wesley Clark është dëshmitari i tretë i mbrojtjes. Ai pritet të japë dëshmi për tri ditë në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në Gjykatën Speciale të Hagës ka nisur dëshminë britaniku John Duncan, ish-këshilltar i komandantit të NATO-s Wesley Clark. Ai do të paraqitet si dëshmitar në mbrojtje të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Duncan, me karrierë 38-vjeçare në diplomaci dhe me përvojë gjatë viteve 1998-2002 si këshilltar i Clark-ut, është dëshmitari i tretë i mbrojtjes, pas James Rubin, ish-ndihmës i Sekretares së Shtetit Madeleine Albright, dhe Paul Williams, ish-këshilltar i delegacionit të Kosovës në Rambuje. Dëshmia e tij pritet të zgjasë tri ditë.
Mbrojtja po synon të sfidojë akuzën për “Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale”, një nga pikat më të rënda të ngritura nga Prokuroria e Specializuar. Për këtë arsye, edhe dy dëshmitarët e parë, Rubin dhe Williams, janë pyetur gjerësisht për strukturën dhe funksionimin e UÇK-së.
Rubin theksoi se UÇK-ja nuk kishte organizim ushtarak formal me brigada apo batalione, ndërsa shumë prej pjesëtarëve nuk kishin uniforma. Sipas tij, komunikatat e organizatës kishin qenë më shumë mjete propagandistike. “Nuk kam parë asnjë dokument që të përshkruante analizë të strukturës. UÇK-ja funksiononte në grupe e klane, jo në mënyrë formale ushtarake”, u shpreh ai.
Edhe Paul Williams, nga ana e tij, deklaroi se UÇK-ja kishte një strukturë rurale dhe jo të bazuar në rregulla të rrepta ushtarake, duke shtuar se kjo ishte arsyeja pse komandantët e zonave u konsideruan thelbësorë për procesin e Rambujesë.
Me dëshminë e John Duncan, mbrojtja pritet të vazhdojë argumentimin kundër pretendimeve të Prokurorisë për ekzistencën e një strukture të centralizuar dhe të organizuar ushtarakisht brenda UÇK-së.



