Jolyon Naegele: Pas fjalimit të Millosheviqit në Gazimestan, Rugova më tha se “të drejtat e shqiptarëve janë të drejta të njeriut”

Gazetari amerikan Jolyon Naegele ka rikujtuar ngjarjet e 28 qershorit 1989, ditën kur Slobodan Millosheviqi mbajti fjalimin e tij në Gazimestan, duke e cilësuar atë si një moment që paralajmëroi zhvillimet tragjike që pasuan në ish-Jugosllavi.

Në një rrëfim të publikuar me rastin e përvjetorit të ngjarjes, Naegele kujton se pas fjalimit të Millosheviqit, intervistoi presidentin e ardhshëm të Kosovës, Ibrahim Rugovën, për Zërin e Amerikës.

banner

Sipas tij, Rugova e cilësoi tubimin në Gazimestan si një provokim të organizuar për nevojat e politikës serbe dhe reagoi ndaj shtypjes së shqiptarëve me mesazhin:

“Të drejtat e shqiptarëve janë të drejta të njeriut.”

Naegele shkruan se intervista pati jehonë të madhe, duke shkaktuar përplasje edhe brenda redaksisë së Zërit të Amerikës, ku, sipas tij, pati konflikt fizik mes drejtuesve të shërbimit jugosllav dhe atij shqiptar lidhur me transmetimin e deklaratave të Rugovës.

Ai rikujton se në fjalimin e Gazimestanit, Millosheviqi kishte paralajmëruar se “betejat e armatosura nuk mund të përjashtohen”, ndërsa më vonë, pas përshkallëzimit të tensioneve dhe luftës në Kosovë, NATO ndërhyri ushtarakisht kundër regjimit serb në vitin 1999.

Në fund të rrëfimit, gazetari amerikan kujton se Millosheviqi u rrëzua nga pushteti në vitin 2000, u ekstradua në Hagë për t’u gjykuar për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, por vdiq në vitin 2006 para përfundimit të procesit gjyqësor. Ai thekson se më pak se dy vjet më vonë Kosova shpalli pavarësinë, ndërsa Serbia vazhdon të mos e njohë atë.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.