Kënga e re e Adelina Ismailit në veri ndez debat politik: Akuza ndaj RTK-së për propagandë pro-qeveritare

Premiera e projektit muzikor të artistes në edicionin qendror të lajmeve të RTK-së ka shkaktuar reagime të ashpra publike dhe akuza për keqpërdorim të transmetuesit publik për qëllime politike.

Këngëtarja e njohur Adelina Ismaili ka publikuar projektin e saj më të ri muzikor, por ajo që duhej të ishte një ngjarje artistike është shndërruar në një polemikë të ashpër politike.

Shkak për reagime është bërë mënyra se si kënga dhe videoprojekti i saj u prezantuan në edicionin qendror të lajmeve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK).

Kënga, e xhiruar në disa lokacione në veri të vendit, u paraqit nga RTK si një projekt që “përcjell mesazhin e unitetit dhe të dashurisë për vendin”.

Megjithatë, raportimi i zgjeruar në lajme dhe transmetimi i plotë i materialit muzikor gjatë edicionit kryesor ka ngjallur reagime të shumta, duke u interpretuar nga kritikët si një akt propagandistik në prag të zgjedhjeve lokale.

Reagimi i Flutura Kusarit: “Skandal dhe propagandë politike”

Ekspertja e medias, Flutura Kusari, reagoi ashpër përmes një postimi në rrjete sociale, duke e quajtur veprimin e RTK-së “skandaloz” dhe “shërbim propagandistik për Lëvizjen Vetëvendosje”.

Ajo theksoi se materiali u transmetua në një kohë të ndjeshme, “pikërisht në natën e zgjedhjeve lokale në Mitrovicë”, gjë që sipas saj tregon për një qëllim të qartë politik.

“Fillimisht është paralajmëru në lajme… Kur është hera e fundit që një këngë është promovuar në lajme? Dhe pastaj është transmetu kënga e plotë,” shkroi Kusari, duke shtuar se vendimi editorial përfshin “shkelje të rënda profesionale”.

Ajo gjithashtu akuzoi për mungesë transparence gjatë xhirimeve, duke pretenduar se gazetarët e pavarur nuk janë lejuar të marrin pjesë apo të raportojnë për projektin. “Këtë e konfirmova me të paktën tre gazetarë kredibilë,” shtoi ajo.

Debat mbi pavarësinë e RTK-së

Në reagimin e saj, Kusari e lidhi rastin edhe me situatën e brendshme në RTK, duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti se “vazhdon të tallet me familjet e 700 punëtorëve të RTK-së duke i lënë pa paga”.

Ngjarja ka rihapur debatin publik për pavarësinë editoriale të transmetuesit publik dhe për kufirin midis promovimit artistik dhe përdorimit të platformave shtetërore për qëllime politike.

RTK ende nuk ka dhënë një reagim zyrtar lidhur me akuzat, ndërsa projekti i Adelinës po vazhdon të shpërndahet gjerësisht në rrjete sociale, duke ndarë publikun mes vlerësimit artistik dhe dyshimeve për prapavijë politike.

Back to top button