
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka kujtuar publicistin dhe veprimtarin politik Xhemail Mustafa, në 26-vjetorin e vrasjes së tij, shkruan Gazeta Politika.
Kërçeli e ka përkujtuar Mustafën përmes veprës së tij “Një lutje për Prishtinën”, të cilën e ka cilësuar si dëshmi të frikës, qëndresës dhe shpresës së qytetarëve gjatë luftës.
“Në 26-vjetorin e rënies, kujtojmë me respekt dhe nderim intelektualin e shquar Xhemail Mustafa, përmes njërës prej veprave të tij”, ka shkruar Kërçeli.
Sipas tij, vepra “Një lutje për Prishtinën” rrëfen përjetimet e kryeqytetit gjatë 78 netëve të bombardimeve të NATO-s.
“‘Një lutje për Prishtinën’ është dëshmi e 78 netëve të frikës, qëndresës dhe shpresës. Është një rrëfim për një qytet që përjetoi ditë të errëta, por që nuk e humbi besimin në liri”, ka thënë ai.
Kërçeli ka theksuar se përmes kësaj vepre, Mustafa la pas një dëshmi të rëndësishme për atë që përjetuan Prishtina dhe populli i Kosovës gjatë luftës.
“Xhemail Mustafa na lë një kujtesë të çmuar për atë që përjetoi Prishtina dhe populli ynë gjatë luftës”, ka përfunduar Kërçeli.
Xhemail Mustafa u vra më 23 nëntor 2000, në hyrje të banesës së tij në lagjen Dardania të Prishtinës. Edhe 26 vjet më vonë, askush nuk është dënuar për vrasjen e tij.



