
Nga Komanda Rajonale-Lindje bëhet e ditur se patrullimet zhvillohen rregullisht ditë e natë nëpër komuna.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka publikuar fotografi nga patrullimet e ushtarëve gjermanë të Komandës Rajonale-Lindje, duke bërë të ditur se këto patrullime realizohen rregullisht, si gjatë ditës ashtu edhe natës, në komuna të ndryshme të vendit.
Në njoftimin e KFOR-it thuhet se patrullimet kontribuojnë drejtpërdrejt në ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe janë pjesë thelbësore e misionit të vazhdueshëm të këtij misioni.
“Ato janë një pjesë themelore e misionit të vazhdueshëm të KFOR-it për të ofruar një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Në fund, KFOR-i thekson se punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), duke respektuar rolet e tyre përkatëse si institucione përgjegjëse për sigurinë.



