
Gjeneralmajor Ozkan Ulutash paralajmëron për rrezikun e shpërthimeve të tensioneve dhe thekson rëndësinë e dialogut Beograd-Prishtinë.
Situata e sigurisë në Kosovë mbetet e qetë, por njëkohësisht e brishtë, me rrezik për shpërthime të tensioneve të reja, ka deklaruar komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash. Ai ka theksuar se faktorë të shumtë vazhdojnë ta bëjnë të ndjeshme stabilitetin në vend.
Në një intervistë për mediumin në gjuhën serbe, Kosovo-online, Ulutash ka përmendur disa nga arsyet që mund të shkaktojnë tensione, duke përfshirë retorikën herë pas here të papërgjegjshme dhe përdorimin e vazhdueshëm të dezinformimit.
“Në përgjithësi, situata e sigurisë në Kosovë mbetet e qetë, por në të njëjtën kohë e brishtë, me potencial për shpërthime të tensioneve të reja. Arsyet për këtë janë të shumta, duke përfshirë çështjet e pazgjidhura, retorikën herë pas here të papërgjegjshme dhe përdorimin e vazhdueshëm të dezinformimit”, ka thënë Ulutash.
Ai ka shtuar se sfidat lidhen edhe me përparimin e procesit të normalizimit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, të cilin NATO-ja e mbështet plotësisht. “Ky është një kuadër në të cilin çështjet e hapura mund të zgjidhen dhe të gjenden zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve, gjë që është thelbësore për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal”, ka deklaruar gjeneralmajori.



