
Kim Mehmeti, analist i njohur nga Maqedonia e Veriut, ka kritikuar ashpër Bujar Osmanin, duke e akuzuar për qëndrime të gabuara në lidhje me sulmin e armatosur në Banjskë të Kosovës.
Sipas Mehmetit, deklaratat e Osmanit nuk kanë pasur as fuqinë, as drejtësinë që pritej nga një përfaqësues politik shqiptar në një post të tillë.
“Në rastin e Banjskës, Bujar Osmani pati një qëndrim për të cilin ia kanë zili edhe vetë serbët,” u shpreh Mehmeti.
Tutje, gjatë intervistës në Këndin e Debatit të Tëvë 1, Mehmeti kritikoi Osmanin për një sërë qëndrimesh, duke nënvizuar se ato tregojnë arrogancë politike.
“Bujar Osmani, kur ishte më poshtë në hierarkinë politike, ishte më i qasshëm dhe komunikues. Por sa u bë ministër, mendoi se ishte ministër i të gjithë Maqedonisë dhe harroi se është aty vetëm falë votës shqiptare. Kjo është sëmundja e shumë politikanëve tanë – kujtojnë se pozita i bën më të vlefshëm sesa dinjiteti” – u shpreh Mehmeti.
“Kur të gjithë prisnin një reagim të prerë në mbrojtje të Kosovës dhe një distancim serioz nga ‘Ballkani i Hapur’, Osmani zgjodhi të mbajë qëndrim diplomatik, të paqartë, që nuk i lëndon as miqtë e Serbisë,” – tha Mehmeti, transmeton Gazeta Politika.



