
“Akti për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor” synon sanksione ndaj korrupsionit të lartë dhe përfshin edhe Shqipërinë.
Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka prezantuar një projektligj të ri me titull “Akti për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor”, i cili synon forcimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe zhvillimit ekonomik në rajon.
Dokumenti, i depozituar më 10 shtator 2025 në Dhomën e Përfaqësuesve, përfshin Shqipërinë, Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Kroacinë. Sipas raportit shoqërues të Kongresit, korrupsioni, veçanërisht në nivelet e larta politike, mbetet pengesa kryesore për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të Ballkanit Perëndimor.
Në seksionin 5 të projektligjit parashikohen sanksione ndaj individëve dhe subjekteve që kërcënojnë stabilitetin dhe sundimin e ligjit, si dhe raporte të detyrueshme mbi ndikimet malinje të Rusisë dhe Kinës, përfshirë fushatat e dezinformimit dhe kërcënimet kibernetike.
Shqipëria përmendet si një nga vendet që përballet me sfida serioze në prokurimet publike, funksionimin e institucioneve të pavarura dhe proceset zgjedhore. Në seksionin 6 kërkohet krijimi i programeve kombëtare kundër korrupsionit në secilin vend të rajonit, si dhe forcimi i strategjive ekzistuese për luftimin e korrupsionit politik dhe administrativ, përfshirë mbikëqyrjen e prokurimeve publike, mbrojtjen e informacionit dhe infrastrukturën kibernetike.
Projektligji thekson gjithashtu rolin e medias së pavarur si partner kyç në zbardhjen e korrupsionit, duke inkurajuar trajnimin dhe mbështetjen e gazetarëve investigativë.
Një pjesë e rëndësishme e nismës është edhe “Iniciativa e Liderëve të Rinj të Ballkanit”, e parashikuar në seksionin 9, e cila synon zhvillimin e liderëve të rinj në fusha si biznesi, teknologjia, qeverisja dhe gazetaria. Po ashtu, projektligji promovon programe arsimore dhe shkëmbime me Shtetet e Bashkuara, përfshirë bashkëpunimin me universitetet amerikane.



