
Deri në orën 09:00 kanë votuar mbi 1 mijë e 600 shtetas, njofton Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur konferencën e parë për media lidhur me nisjen e procesit të votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se votimi ka nisur në gjithsej 25 përfaqësi diplomatike. Sipas tij, deri në orën 09:00 kanë votuar 1 mijë e 659 qytetarë, që përbën 8.64 për qind nga gjithsej 19 mijë e 187 votues të regjistruar, shkruan Reporteri.net.
Elezi theksoi se gjatë ditës së sotme do të mund të votojnë vetëm qytetarët që janë regjistruar paraprakisht për votim në përfaqësitë diplomatike, pasi listat votuese të dërguara përmbajnë vetëm emrat e shtetasve që kanë zgjedhur këtë formë votimi.
Ai njoftoi gjithashtu se procesi i votimit ka filluar në orën 05:00, sipas kohës lokale në Kosovë, në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Stamboll. Ndërkaq, në orën 07:00, po sipas kohës lokale në Kosovë, votimi ka nisur edhe në 24 përfaqësi të tjera diplomatike që ndodhen në Evropë.



