KRU “Prishtina” publikon tarifat e reja, rriten çmimet e ujit dhe kanalizimit

Konsumatorët shtëpiakë do të paguajnë deri në 40% më shumë për ujësjellësin dhe rreth 60% më shumë për ujërat e ndotura.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka publikuar tarifat e reja për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit për periudhën 2026–2028, të cilat kanë hyrë në fuqi nga ky muaj. Tarifat e reja sjellin rritje të ndjeshme si për konsumatorët shtëpiakë, ashtu edhe për ata komercialë dhe institucionalë.

banner

Sipas vendimit, tarifa për shërbimet e ujësjellësit për konsumatorët shtëpiakë është caktuar në 0.63 euro për metër kub, që paraqet rritje prej 40% krahasuar me tarifat e mëparshme. Ndërkohë, tarifa për shërbimet e ujërave të ndotura është 0.12 euro për metër kub, rritje kjo prej afro 60% në krahasim me çmimet e vjetra.

Për konsumatorët komercialë dhe institucionalë, tarifa e re për shërbimet e ujësjellësit është 0.82 euro për metër kub, nga 0.62 euro sa ishte më parë. Ndërsa tarifa për ujërat e ndotura është rritur në 0.28 euro për metër kub, nga 0.17 euro sa ishte në tarifat e kaluara.

KRU “Prishtina” ka bërë të ditur se tarifat janë përcaktuar nga Autoriteti Rregullator për Ujësjellës dhe Kanalizim (ARRU), bazuar në Ligjin Nr. 05/L-042, me qëllim që ato të jenë të drejta, të arsyeshme dhe të mbështesin qëndrueshmërinë financiare të ofruesve të shërbimeve.

Sipas njoftimit, kërkesa për rritjen e tarifave lidhet me shpenzimet operative, mirëmbajtjen kapitale dhe kthimin në Bazën Rregullatore të Aseteve. Kjo përfshin rritjen e kostove për personelin dhe energjinë elektrike, projekte kapitale për mirëmbajtjen e rrjetit ekzistues, si dhe investime për modernizimin e aseteve dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve.

KRU “Prishtina” ka theksuar se, edhe me tarifat e reja të aprovuara, kompania mbetet e përkushtuar për të ofruar furnizim të qëndrueshëm, shërbime cilësore dhe pa ndërprerje për qytetarët e Prishtinës dhe zonave përreth.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.