
Kryeministri i Bahamës, Philip Davis, ka mbajtur një konferencë të përbashkët me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Konferenca u mbajtë pas njohjës që ky vend ia bëri Kosovës.
Davis ka vlerësuar se Kosova ka një aleat të besueshëm te shteti i Bahamës.
‘‘Më lejoni ta filloj duke përshëndetur praninë e mediave tona vendore, si dhe të atyre që ju kanë shoqëruar, President Osmani. Mendoj se rëndësia e këtij momenti dëshmohet nga fakti që ju, si Presidente e Kosovës, e keni parë të arsyeshme të na nderoni me praninë tuaj për të nënshkruar dokumentin e njohjes këtu në Bahamas. Kjo ka një domethënie të veçantë për ne, që ju keni ndarë kohë nga orari juaj i ngarkuar për të udhëtuar në Bahamas dhe për ta çuar deri në fund këtë proces. Nuk ka dyshim se kjo është fillesa e një marrëdhënieje që ne do të synojmë ta forcojmë vazhdimisht. Ka shumë aspekte bashkëpunimi që do t’i ndjekim, veçanërisht në një botë ku ka kaq shumë sfida gjeopolitike që na prekin të gjithëve, e sidomos duke pasur parasysh të gjitha sfidat që Kosova ka kaluar ndër shekuj, nëse mund të shprehem kështu’’, ka deklaruar ai.



