
Prishtina është gara më e nxehtë e zgjedhjeve lokale. Në një analizë gazetari Mirlind Behluli vlerëson se kryetari aktual Përparim Rama (LDK) hyn si favorit, falë pozitës qk aktualisht mban dhe mbështetjes tradicionale të LDK-së në kryeqytet.
Sipas Behlulit, kundërshtari kryesor i Ramës është Hajrullah Çeku (VV), megjithëse kandidatura e tij shihet si e imponuar nga kreu i VV-së, Albin Kurti, dhe mund të hasë rezistencë brenda partisë.
Në garë është edhe Uran Ismaili (PDK), i cili ka nisur fushatën me energji, por imazhi i dobët i partisë së tij në Prishtinë e bën të vështirë hyrjen në balotazh.
Besa Shahini (PSD) shihet si kandidate me paraqitje të mirë dhe me avantazh për faktin që është gruaja e vetme në garë, por e kufizuar nga pesha e vogël e PSD-së. Ndërkohë, Bekë Berisha (AAK) pritet të luajë rol më shumë si faktor përcaktues në balotazh sesa si pretendent për fitore.
Sipas analizës së Behlulit, gara reale është mes Ramës dhe Çekut, ndërsa kandidatët e tjerë do të ndikojnë në raundin e dytë.



