Kur media ndërton realitete të rreme, demokracia bie

Sead Zimeri
Filozof

Në çdo shoqëri demokratike media ka një funksion të pazëvendësueshëm: t’i ofrojë publikut një pasqyrë sa më të saktë të realitetit. Ky është kushti pa të cilin qytetari nuk mund të gjykojë drejt, nuk mund të marrë vendime të informuara, dhe nuk mund të mbajë përgjegjës pushtetin. Në momentin që media e shmang këtë funksion, dëmi nuk mbetet brenda redaksisë: ai prek vetë bazën mbi të cilën ndërtohet gjykimi demokratik.

Skandali i BBC-së e bëri këtë fakt të dukshëm. Në një dokumentar për Donald Trump-in dhe ngjarjet e 6 janarit, BBC bashkoi dy pjesë të ndara të një fjalimi dhe hoqi nga transmetimi pjesët ku ai kërkonte protestë paqësore. Fragmenti i transmetuar krijoi përshtypjen se Trump-i kishte bërë thirrje të drejtpërdrejtë për dhunë. Publikut nuk iu dha fjalimi që kishte ndodhur, por një version i montuar që ndryshonte kuptimin e tij. Një veprim i tillë nuk ndryshon vetëm formën e një materiali, por e transformon atë në një realitet të ri, me pasoja të drejtpërdrejta në mënyrën se si ngjarja perceptohet.

Rreziku i një veprimi të tillë qëndron në faktin se media, duke modifikuar materialin, merr rolin e gjyqtarit të opinionit publik. Në një sistem demokratik, pikërisht qytetari është ai që duhet të gjykojë; media ekziston për ta furnizuar atë me informacion, jo për t’i paraprirë gjykimit të tij. Në momentin kur media ndërton një ngjarje që nuk ka ndodhur, ajo nuk ndihmon orientimin e publikut, por e zëvendëson gjykimin e tij me një konstruksion që nuk i përket realitetit. Ky është momenti kur funksioni informues zëvendësohet nga një rol që as nuk i është dhënë, as nuk i takon.

Ky fenomen nuk është i kufizuar te BBC-ja. Në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, media të tëra janë larguar prej kohësh nga funksioni i informimit. Raportimi për Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin është shembulli më i qartë i kësaj prirjeje. Prej vitesh, segmente të tëra të mediave ndërtojnë narrativa të ndërtuara paraprakisht, të cilat nuk burojnë nga faktet, por i paraprijnë atyre. Akuzat shpërndahen pa verifikim, titujt krijojnë realitetin e tyre, dhe publikun e furnizojnë me një pamje të filtruar që nuk pasqyron zhvillimet, por synon t’i orientojë ato. Në këto raste, media nuk e humb thjesht neutralitetin: ajo merr një rol aktiv në formimin e perceptimit publik.

Ajo që e bën këtë formë ndërhyrjeje më të rrezikshme se çdo tentativë e hapur politike është mënyra se si ajo ndodh. Një parti që kërkon të zgjerojë pushtetin e vet duhet të shkelë rregulla të qarta dhe ekspozohet menjëherë. Ndërsa media, kur shtrembëron realitetin, e dëmton demokracinë në mënyrë të heshtur, pa alarm zyrtar, dhe pa e bërë të qartë se ku ka ndodhur ndërhyrja. Ajo nuk e merr pushtetin drejtpërdrejt, por e deformon atë, duke ndikuar premisat mbi të cilat qytetarët formojnë gjykimin e tyre.

Pasojat shfaqen në mënyrë të menjëhershme. Qytetarët gjykojnë mbi informacione të shtrembëruara dhe, për rrjedhojë, vendimet e tyre politike mbështeten në premisa që nuk përputhen me realitetin. Diskutimi publik humb bazën e përbashkët të fakteve dhe reduktohet në konfrontim të perceptimve të krijuara. Institucionet humbin legjitimitetin jo për shkak të pasivitetit të qytetarëve, por sepse informacioni i ofruar nuk u lejon atyre të gjykojnë me saktësi.

Nëse e ndjekim me kujdes këtë rrjedhë, përfundimi është i qartë. Një media që ndërton realitete të rreme nuk kufizohet në deformimin të një lajmi të caktuar; ajo transformon procesin në të cilin qytetari merr vendimin e vet politik. Në vend që gjykimi të mbështetet mbi atë që ka ndodhur, ai mbështetet mbi atë që është ndërtuar. Dhe pikërisht në këtë pikë fillon dobësimi i demokracisë: jo përmes krizave të hapura, por përmes prishjes së heshtur të realitetit mbi të cilin qytetari duhet të mbështesë aktin e vet të gjykimit.

Back to top button