
Kryeministri thotë se 26 shkurti nuk është thjesht datë kalendarike, por simbol i rrugëtimit për liri, drejtësi dhe barazi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar përmes një mesazhi publik figurat e Adem Demaçi dhe Astrit Dehari në përvjetorin e lindjes së tyre, duke i cilësuar si emra të shquar të përpjekjes për liri dhe Republikën e Kosovës.
Sipas Kurtit, Adem Demaçi është “emri më i shquar i përpjekjes së gjatë të popullit shqiptar rreth organizimit të gjerë për liri e bashkim kombëtar, për drejtësi dhe Kosovën Republikë”.
Ndërkaq, ai e cilësoi Astrit Deharin si “emrin më të dalluar ndër aktivistët e rinj të vazhdimit të së njëjtës përpjekje për Republikën e Kosovës, për emancipim e shqiptari, për barazi e përkujdesje për të gjithë”.
Kurti theksoi se 26 shkurti nuk është thjesht një datë në kalendar, por një ditë me domethënie të thellë historike dhe politike që, sipas tij, vijon të frymëzojë dhe të tregojë rrugën përpara.



