
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas pajisjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës me fluturake pa pilot të tipit RQ-20 Puma, të siguruara nga ShBA përmes programit Foreign Military Sale (FMS).
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti ka përshëndetur këtë zhvillim, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të FSK-së.
“Më shumë sy në qiell, për më shumë siguri në tokë. Përgëzime Ministrisë së Mbrojtjes, urime Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe mirënjohje Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar ai.
Ky reagim vjen pas njoftimit të ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili konfirmoi se FSK-ja tashmë ka pranuar këto sisteme të reja ajrore pa pilot, duke i cilësuar si një kapacitet që rrit aftësitë operacionale dhe thellon bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara.



