
Kryeministri thotë se viti 2025 do të jetë vit i njohjeve të reja për Kosovën.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar qytetarët për njohjen e Republikës së Kosovës nga shteti i Bahamas, duke theksuar se kjo është njohja e katërt për këtë vit dhe e 121-ta në total.
Përmes një postimi, Kurti ka deklaruar se pas liberalizimit të vizave në vitin 2024, viti 2025 shënon rikthimin e njohjeve të reja ndërkombëtare për Kosovën, pas një pauze të gjatë në procesin diplomatik.
“Viti 2024 ishte viti i pasaportës sonë. Viti 2025 është viti i njohjeve të reja. Bahamas bëhet shteti i katërt sivjet dhe i 121-ti që e njeh Republikën tonë si shtet të pavarur dhe sovran”, ka shkruar Kurti.
Ai ia ka njohur meritat presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, zyrtarëve shtetërorë dhe partnerëve ndërkombëtarë për këtë arritje, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.
Sipas Kurtit, njohja nga Bahamas hap rrugë për miqësi të reja dhe mundësi bashkëpunimi, duke shprehur gatishmërinë që njohja e ndërsjellë të shndërrohet në një partneritet të sinqertë mes Kosovës dhe shtetit dhe popullit të Bahamas.



