
Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar 12 ligje të cilat janë miratuar në mbledhjen e 5 dhjetorit të 2024-s.
Në publikimin e bërë të premten, Kushtetuesja ka bërë të ditur se ka shfuqizuar vendimet për miratimin e Ligjeve për Shërbimet e Pagesave, atë kundër dukurive negative në sport, për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, për provimin e maturës shtetërore, për banim social dhe të përballueshëm, për kontabilitet, raportim financiar dhe auditim, për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, për Prokurorinë Speciale, për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore, për Inspektoratin Qendror të mjedisit dhe atë për Lojërat Mesdhetare.
Ndërkaq i ka konstatuar si në përputhje me Kushtetutën Ligjin për Bankat, për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut dhe atë për Gjykatën Administrative.
Partia Demokratike e Kosovës ishte ankuar në Kushtetuese për procedurat.
Atë ditë, Kuvendi pati miratuar 20 ligje. Votimi ishte bërë pa praninë e opozitës e duke iu shmangur afateve të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit. Rregullorja përcakton se shqyrtimi i dytë i një projektligji nuk mund të bëhet më herët se 72 orë nga dita e miratimit të tij në parim. Kjo përjashtohet vetëm në rast të gjendjes së jashtëzakonshme. Por, pa ndonjë gjendje të tillë emergjente, deputetët e pushtetit miratuan 13 ligje në të dy leximet. 7 të tjerat u miratuan në lexim të dytë, prej tyre 4 u futën në rend dite me mocion. Këto i ka theksuar edhe Kushtetuesja.
Shfuqizohet edhe Ligji për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë
Gjykata Kushtetuese të premten ka marrë vendim që ta shfuqizojë Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili qe miratuar në Kuvend në dy lexime më 5 dhjetor të vitit 2024.
Ligji u kontestua në Kushtetuese nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët pretendonin se votimi i këtij Ligji nga Kuvendi është bërë përmes shmangies nga afatet procedurale.



