
Kryetari i Drenasit paralajmëron zgjedhje të parakohshme në dhjetor ose fillim janari dhe thotë se mungesa e institucioneve po i shkakton dëm të madh vendit.
Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka deklaruar sonte në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova se në situatën aktuale politike do të dëshironte që Glauk Konjufca ta merrte mandatin e kryeministrit. Ai tha se ka raporte miqësore me Konjufcën, pavarësisht se i përkasin subjekteve të ndryshme politike.
“Unë nuk kam dëshirë shumë ta analizojë Vetëvendosjen. Glaukun e kam miq, ne kemi miq pavarësisht në cilin subjekt janë dhe askush s’mund të na mohojë se kemi miq”.
“Në këtë situatë, kisha pasur dëshirë që Glauku sot ta marrë mandatin e kryeministrit, por ja që partitë politike opozitare kanë vendosur ndryshe dhe ne po besoj që po shkojmë shumë shpejt në zgjedhje të parakohshme, në dhjetor apo në fillim të janarit. E vendos presidentja pas konsultimeve me partitë politike”.
Lladrovci theksoi se partitë opozitare kanë vendosur ndryshe, por megjithatë pret që vendi shumë shpejt të shkojë në zgjedhje të parakohshme, të cilat sipas tij mund të mbahen në dhjetor ose në fillim të janarit. Ai shtoi se data e zgjedhjeve do të caktohet nga presidentja, pas konsultimeve me partitë politike.
Sipas Lladrovcit, mungesa e qeverisë dhe moskonstituimi i Kuvendit po i shkaktojnë dëm të madh Kosovës, veçanërisht në rrethanat aktuale me të cilat po përballet vendi.



