
Kryetari i LDK-së u është përgjigjur kritikëve, duke theksuar se partia do të fokusohet te qytetarët dhe fitorja e vjeshtës si fillim i një shprese të re.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj sulmeve dhe kritikave që, sipas tij, i janë bërë partisë dhe kandidatëve të saj gjatë fushatës elektorale.
“12 tetori do të vijë si përgjigjja më e fortë dhe më e qartë për të gjithë ata mercenarë që kanë vënë LDK-në dhe kandidatët tanë në tabelë qitjeje në këtë fushatë,” ka deklaruar Abdixhiku.
Ai shtoi se partia nuk do t’i kushtojë vëmendje fyerjeve dhe ofendimeve që, sipas tij, janë bërë nga kundërshtarët politikë.
“Le të shajnë, le të ofendojnë. Kaq dinë, kaq bëjnë. Nuk kemi kohë për ta,” theksoi ai.
Sipas Abdixhikut, LDK ka zgjedhur ta injorojë “moçalin e madh të pështymave të mbrëmjes” dhe të fokusohet te qytetarët, puna dhe ndershmëria.
“Kemi zgjedhur një rrugë tjetër: të ecim me qytetarë, me njerëzit e ndershëm e të punës dhe përpjekjes; dhe me ta bashkë, të bëjmë fitoren e vjeshtës si nisje të shpresës,” përfundoi ai, duke shtuar thirrjen: “Le të fitojmë!”



