
Kryetari i LDK-së vlerëson integritetin, përgatitjen akademike dhe përkushtimin e saj ndaj demokracisë parlamentare dhe orientimit euroatlantik të Kosovës.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka propozuar profesoreshën Jehona Lushaku-Sadriu për Kryetare të Grupit Parlamentar të LDK-së në legjislaturën e dhjetë.
Në njoftimin e tij, Abdixhiku e cilësoi Lushaku-Sadriun si një deputete me integritet, përgatitje të lartë akademike dhe përvojë politike, duke theksuar se ajo përfaqëson vlerat themelore të LDK-së.
“Jehona është një bashkëpunëtore e afërt, e ndershme dhe e përkushtuar me gjithë qenien e saj në demokracinë parlamentare, në shtetin ligjor dhe në orientimin euroatlantik të Kosovës – vlera që janë themel i LDK-së”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai shprehu bindjen se në përgjegjësinë e re, Lushaku-Sadriu do ta udhëheqë Grupin Parlamentar me përkushtim dhe korrektësi politike, duke përfaqësuar LDK-në me dinjitet në Kuvendin e Kosovës.
“Mbi të gjitha, do ta bëjë krenar çdo mbështetës tonin, ashtu si edhe vetë qytetarët e Kosovës, për përfaqësimin parlamentar të LDK-së”, thuhet në deklaratë.
Në fund të mesazhit të tij, Abdixhiku i uroi suksese në detyrën e re.



