
Prokuroria Themelore në Prizren është duke e zhvilluar një aksion mëngjesin e sotëm më 23.01.2026, në lidhje me manipulimin me vota për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë, Fitore Mehmeti.
“Konfirmoi se aksioni është duke u zhvilluar. Për momentin nuk mund të ndajmë detaje tjera, pasi procedurat janë në vazhdim”– ka thënë shkurtimisht Mehmeti.
Kujtojmë që lidhur me dyshimet e shpërfaqura për keqpërdorim të votave, kryeprokurori i Prokurorisë së Prizrenit, Petrit Kryeziu, më 18.01.2026, ka autorizuar Policinë e Kosovës që të identifikojë personat përgjegjës, të sigurojë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet.
Komuna e Prizrenit ka qenë një nga komunat ku janë shfaqur më së shumti dallimet tek votat e kandidatëve për deputetë, pas rinumërimit të votave.
Si pasojë e dyshimeve për manipulim të votave, KQZ 19.01.2026 mori vendim që të gjitha votat e kandidatëve për deputetë në tërë Kosovën të rinumërohen edhe njëherë, në total 2 mijë e 557 vendvotime. Krejt kjo pritet të sjellë vonesa në certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe rrjedhimisht formimin e institucioneve të reja.
Pjesëmarrja në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, sipas KQZ-së, ka qenë 45.03% apo 900 mijë e 330 votues.



