
Ministrja e Tregtisë thotë se nuk mund të krahasohen dy kryeministrat, por thekson dallimet në komunikim dhe stil pune.
Ministrja e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Mimoza Kusari-Lila, ka folur për përvojat e saj në qeveritë e udhëhequra nga Hashim Thaçi dhe Albin Kurti, duke theksuar se dy periudhat nuk mund të krahasohen drejtpërdrejt.
E pyetur nëse është më e lehtë të bashkëpunohet me Kurtin apo me Thaçin, Kusari-Lila u shpreh se secili ka pasur qasje të ndryshme. Duke folur për kohën kur ishte pjesë e Qeverisë Thaçi, ajo tha se ka pasur pavarësi të plotë në vendimmarrje si ministre e Tregtisë dhe Industrisë.
“Është interesant se shumë gjëra mund të thuhen për personalitetin e tij ose për angazhimin e tij qoftë si kryeministër në mandat të parë ose të dytë, unë e kam thënë edhe më herët, unë kam pasur pavarësi dhe vendimarrje të pandikuar në Ministri të Tregtisë dhe Industrisë”, ka deklaruar Kusari në Klan Kosova.
Sa i përket bashkëpunimit me Kurtin, ajo theksoi se komunikimi ka qenë i një natyre tjetër dhe shumë më intensiv. “Nuk besoj që mund të krahasohen. Arsyeja është se bashkëpunimi dhe komunikimi me kryeministrin Kurti ka qenë i tjetër natyre dhe shumë më intensiv sesa me kryeministrin Thaçi”, u shpreh Kusari-Lila.



