Merz: Ditët e regjimit iranian janë të numëruara

Kancelari gjerman kritikon ashpër Teheranin për dhunën ndaj protestuesve, ndërsa Trump paralajmëron për pasoja më të rënda nëse dështon marrëveshja bërthamore.

Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka deklaruar se “ditët e qeverisë iraniane janë të numëruara”, duke akuzuar regjimin në Teheran se po mbahet në pushtet vetëm përmes dhunës dhe terrorit ndaj qytetarëve të vet.

banner

Ai i bëri këto komente gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin rumun, Ilie Bolojan, në një kohë kur tensionet ndërkombëtare me Iranin janë rritur ndjeshëm pas shtypjes së përgjakshme të protestave në vend.

“Një regjim që mund të mbahet në pushtet vetëm përmes dhunës dhe terrorit kundër popullsisë së vet: ditët e tij janë të numëruara”, tha Merz para gazetarëve.

“Mund të jetë çështje javësh, por ky regjim nuk ka legjitimitet për ta qeverisur vendin”, shtoi ai.

Deklaratat e kancelarit gjerman vijnë në të njëjtën kohë kur presidenti amerikan, Donald Trump, ka përtërirë kërcënimet ndaj Iranit, duke paralajmëruar se “koha po harxhohet” për arritjen e një marrëveshjeje bërthamore.

Trump theksoi se nëse nuk ka përparim diplomatik, një sulm i radhës “do të ishte shumë më i keq”, duke iu referuar sulmeve të mëparshme ndaj qendrave bërthamore iraniane në qershorin e vitit të kaluar.

Po atë muaj, Irani dhe Izraeli u përfshinë në atë që njihet si lufta 12-ditore, një përshkallëzim i shkurtër, por intensiv i konfliktit që rriti frikën për destabilizim më të gjerë në rajon.

Deklaratat e fundit nga Berlini dhe Uashingtoni sinjalizojnë presion të shtuar ndërkombëtar ndaj Teheranit, ndërsa situata politike dhe e sigurisë në Lindjen e Mesme mbetet e brishtë.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.