
Ministrja e Tregtisë thotë se vendimi synon mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.
Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për caktimin e çmimeve të produkteve të naftës, pas rritjes së menjëhershme të çmimeve të derivateve si pasojë e zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme.
Sipas saj, vendimi ka qenë i domosdoshëm për mbrojtjen e konsumatorëve dhe për garantimin e konkurrencës së drejtë dhe të ndershme në tregun vendor.
Vendimi është marrë pas mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të naftës, analizimit të evidencave ditore nga Dogana e Kosovës dhe raporteve të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut. Sipas Ministrisë, është konstatuar se rritjet e çmimeve nga importi janë reflektuar menjëherë edhe në çmimet e shitjes.
📌 Marzha tregtare maksimale e lejuar:
▪️ Shitja me shumicë – deri në 2 eurocentë për litër
▪️ Shitja me pakicë – deri në 12 eurocentë për litër
Ministrja bëri të ditur se inspektorët do të jenë në terren për të mbikëqyrur zbatimin e këtij vendimi.
Llogaritja e marzhës tregtare maksimale të lejuar për shitje me shumicë dhe pakicë bëhet sipas nenit 4, paragrafi 1.1 dhe 1.2 të Udhëzimit Administrativ Nr. 03/2022 për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtëritshme dhe Masat e Tjera Mbrojtëse.
Sipas njoftimit, vendimi hyn në fuqi një ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, ndërsa çdo shkelje apo moszbatim do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ky hap, sipas Kusarit, synon të sigurojë konkurrencë të ndershme dhe mbrojtje për konsumatorët në tregun e Republikës së Kosovës.



