
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Nait Hasani, ka komentuar sot kandidaturën për president që pritet të vijë nga Lëvizja Vetëvendosje (VV), duke u përmendur emri i Andin Hotit.
Hasani tha për Nacionalen se nuk është kontaktuar drejtpërdrejt nga Hoti dhe se nuk di detaje për kandidaturën e tij. Sipas tij, qëndrimi i tij personal në votim do të jetë i lidhur drejtpërdrejt me grupin parlamentar të PDK-së.
“Nëse grupi i PDK-së qëndron në sallë, unë e votoj këtë kandidat. Por nëse grupi nuk qëndron, nuk e rri as unë,” tha Hasani.
Deklarata e tij nënvizon distancimin personal nga vendimi për kandidaturën nga VV-ja, duke theksuar se çdo votë do të ndikohet nga pozicioni i partisë në Kuvend.
Kuvendi i Kosovës aktualisht po përgatitet për zgjedhjen e presidentit të ri, ndërsa partitë politike po diskutojnë kandidatët e mundshëm dhe strategjitë për mbështetje ose kundërshtim. Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit po afrohet, dhe ende nuk ka një kandidat zyrtar të konsensusuar me nënshkrimet e nevojshme.



