Nisin punimet për rregullimin e kanalit në Hasanbeg, që shkaktonte tragjedi të shqiptarët

Pas dekadash pritjeje, banorët e Hasanbegut do të kenë kanal të ri për parandalimin e vërshimeve, ndërsa projekti financohet nga Ministria e Mjedisit dhe Komuna e Gazi Babës.

Pas shumë dekadash pritjeje, ka nisur rregullimi i kanalit të ujërave atmosferikë në lagjen Hasanbeg të Shkupit. Në terren për të parë nisjen e punimeve ishin zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti, kryeparlamentari Afrim Gashi, kryetari i komunës së Gazi Babës dhe zyrtarë të tjerë.

banner

“Kjo lagje ka paguar shtrenjtë lënien pas dore të këtij projekti. Vërshimet në vitin 2016 morën 23 jetë njerëzish dhe shkaktuan dëme të mëdha materiale. Një ndër arsyet kryesore ishte mungesa e kanalit adekuat. Ky gabim historik tashmë po korrigjohet”, tha Mexhiti.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, tha se sot ndihet më shumë si banor i Hasanbegut sesa si kryeparlamentar.

“Uroj që sa më shpejt të realizohet. Jam i bindur se brenda 6-7 muajve kjo do të përfundojë dhe ta gëzojmë të gjithë si qytetarë”, u shpreh Gashi.

Kryetari i Gazi Babës theksoi rëndësinë e projektit për mjedisin dhe parandalimin e vërshimeve.

“Kanali ka gjatësi 1,275 metra dhe do të mbulohet me sipërfaqe betoni me armaturë dhe shtresë guri. Ky projekt kushton 37 milionë denarë. Mjetet e fazës së parë janë siguruar nga Ministria e Mjedisit, ndërsa faza e dytë nga Komuna e Gazi Babës”, tha Stevkovski.

Përveç kanalit, banorët kanë kërkuar edhe ndërtimin e një çerdheje për fëmijë. Kryetari i komunës tha se mjetet janë siguruar dhe brenda pak ditësh do të nisë procedura për zgjedhjen e kompanisë ndërtuese.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.