
Deputetja Xhevahire Izmaku konfirmon se Nisma do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së LVV-së dhe se partia nuk do të vendosë kushte nëse votat e saj janë vendimtare për krijimin e institucioneve të reja.
Nisma Socialdemokrate ka konfirmuar se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës nga Lëvizja Vetëvendosje për të zhvilluar bisedime rreth formimit të qeverisë së re, raporton KosovaPress.
Ndërsa kanë mbetur edhe dymbëdhjetë ditë afat ligjor për formimin e qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, deputetja e Nisma-s, Xhevahire Izmaku, tha se partia e saj do të marrë pjesë në diskutime me përgjegjësi politike.
“Nisma ka një përgjegjshmëri politike dhe s’ka asnjë arsye mos me qenë në tavolinë të diskutimit me LVV-në”, deklaroi Izmaku për KosovaPress.
Ajo shtoi se nëse formimi i qeverisë së re do të varej vetëm nga tri votat e Nisma Socialdemokrate, partia nuk do të vendoste kushte që do ta pengonin krijimin e institucioneve.
Megjithatë, deputetja theksoi nevojën për të sqaruar çështjen e pozitës së kryetarit të Kuvendit, duke theksuar se legjislativi nuk mund të funksionojë normalisht me një figurë që, sipas saj, ka krijuar përçarje.



