
Vlora Çitaku tregon se si mori ftesën nga djali i dlshmorit të kombit, Shkëlzen Haradinaj.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka marrë pjesë në dasmën e Luan Haradinaj, djalit të heroit Shkëlzen Haradinaj, i cili mban emrin e xhaxhait të tij, Luan Haradinaj.
Përmes një postimi, Çitaku ka shprehur emocionet dhe krenarinë për rrugëtimin e Luanit, duke theksuar se ai është rritur pa babanë dhe axhën, por me dinjitet dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie për emrin që mban.
“Një emër që nuk është vetëm kujtim, por përgjegjësi, dinjitet dhe vazhdimësi”, ka shkruar ajo.
Ajo ka ndarë edhe një kujtim nga fëmijëria e tij, gjatë një përkujtimi të Epopesë së Dukagjinit, ku sipas saj, edhe si fëmijë, Luani shfaqte pjekuri dhe qëndrim të veçantë.
Çitaku ka treguar se ndër vite e ka parë atë të rritet dhe të shërbejë me uniformën e Ushtrisë së Kosovës, ndërsa ka theksuar se ftesa për dasmë pas shumë vitesh ishte një moment i veçantë për të.
Në fund, ajo i ka uruar jetë të lumtur çiftit, duke e quajtur Luanin “trashëgimtar të denjë të një historie krenare”.
Postimi saj i plotë:
Me shumë dashuri mora pjesë në dasmën e Luanit, djalit të Shkëlzenit e Syzanës.
Luanit që u rrit pa e njohur babanë dhe axhën, por që me krenari mban emrin e tij. Një emër që nuk është vetëm kujtim, por përgjegjësi, dinjitet dhe vazhdimësi.
Nuk e harroj kurrë një moment shumë vite më parë, në shënimin e Epopesë së Dukagjinit. Luani i ri na priste pranë vendit ku pushojnë heronjtë, krah bacës Hilmi. Ishte veç një fëmijë, por me një pjekuri që të linte pa fjalë. Stoik, i qetë, me një qëndrim që i kishte hije burrave të rritur mes legjendash.
Atë ditë i pata thënë: ende je i vogël, por kur të rritesh e ta gjesh dashurinë, mos harro me më thirrë në dasmë.
Ndër vite, jam mbushur me krenari teksa e kam parë me uniformën e Ushtrisë së Kosovës. Taman oficer ushtrie.
Dhe ja, pas më shumë se një dekade, më erdhi ftesa. Nuk kishte harruar Luani.
U trashëgofsh, Luani i Kosovës ❤️



