
Drejtori i KDI-së thotë se mos publikimi i rezultateve për Listën Serbe cenon demokracinë zgjedhore dhe rrezikon krizë institucionale.
Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka reaguar ashpër ndaj vendimeve të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke e akuzuar këtë institucion për politizim dhe mungesë profesionalizmi.
Përmes një postimi në “Facebook”, Kryeziu ka vlerësuar se veprimet dhe mosveprimet e KQZ-së po e dëmtojnë drejtpërdrejt demokracinë zgjedhore dhe interesat kombëtare të Kosovës.
“KQZ është shndërruar në një institucion të politizuar dhe të paaftë, i cili me veprimet dhe mosveprimet e veta po e dëmton drejtpërdrejt demokracinë zgjedhore dhe interesat kombëtare të Republikës së Kosovës. Papërgjegjësia e anëtarëve të saj dhe mungesa e theksuar e profesionalizmit kanë cenuar rëndë integritetin e procesit zgjedhor, duke e zhbërë reputacionin që Kosova kishte ndërtuar si shembull pozitiv në zhvillimin e demokracisë zgjedhore, përfshirë edhe vlerësimet e partnerëve ndërkombëtarë”, ka shkruar ai.
Ai ka veçuar si skandaloz vendimin e KQZ-së për të mos publikuar rezultatet përfundimtare për Listën Serbe, duke e konsideruar këtë si cenim të së drejtës së përfaqësimit politik.
“Vendimi i radhës, skandaloz dhe i pajustifikueshëm, për të mos publikuar rezultatet përfundimtare për Listën Serbe përbën cenim të rëndë të së drejtës së përfaqësimit politik dhe ka shkaktuar reagime të ashpra nga bashkësia ndërkombëtare”, ka theksuar Kryeziu.
Sipas tij, ky veprim rrezikon të prodhojë vonesa serioze në procesin e certifikimit të zgjedhjeve dhe mund ta shtyjë vendin drejt konsumimit të afateve kushtetuese.
Ai ka paralajmëruar se situata e krijuar mund të pengojë konstituimin e institucioneve të reja dhe ta fusë Kosovën në prag të një krize të re institucionale.



